Vrasja që u zbulua në Tiranë, erdhi për 2500 lekë të reja që djali kishte marrë në shtëpi ku jetonte me të atin. Pohimi tronditës është bërë nga babai që tashmë gjendet në paraburgim, në pritje të shqyrtimit hetimor e gjyqësor ndaj tij.
Ruzhdi Fisniku 75 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, akuzohet se ka vrarë me thikë djalin e tij, Agron Fisniku, 44 vjeç dhe më pas fshehur krimin duke hedhur trupin e të ndjerit në lumë.
Atë e bir me probleme
Agroni njihej me tronditje psikologjike ashtu si dhe i ati. Por me një ndryshim nga njëri-tjetri. Agroni nuk trazonte kurrë askënd dhe asnjëherë nuk ishte parë si element problematik për shkak të problemeve mendore. Në të kundërt i ati 75 vjeçar Ruzhdiu, ishte bërë herë pas here problem në zonën e Babrrusë ku jetonte pasi banorët janë ankuar se i ngacmonte me fjalë dhe veprime të ndryshme.
Krimi i zbuluar
44 vjeçari Agron Fisniku u gjet i vdekur tre ditë më parë në lumin e Tiranës. Gjatë këqyrjes së trupit të të ndjerit u gjetën shenjat e goditjeve me armë të ftohtë në tre pjesë në zonën e barkut. Policia fillimisht ngriti dyshime për një krim që nuk dilte larg nga trungu familjar.
Ndaj u shoqërua e tërë familja, babai, nëna dhe vëllai i të ndjerit. Që të gjithë u mbajtën përmbi dhjetë orë nën shoqërim dhe vetëm pas kësaj kohe në paraburgim, Ruzhdiu pranoi se ishte ai që i kishte marrë jetën të birit.
Dëshmia e të dyshuarit
“Kisha hequr mënjanë 25 mijë lekë (të vjetra). Na duheshin për bukë. Kur shkova e kontrollova, lekët pashë që nuk ishin. Përnjëherë e kuptova se i kishte marrë djali, se ai herë pas here pin. Dhe për këtë punë ne bëmë sherr”, – ka dëshmuar babai vrasës.
Policia dyshon se pas debatit të ashpër në darkë, 75-vjeçari është zgjuar rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe me thikën e bukës ka goditur tre herë djalin e tij teksa flinte gjumë.
44-vjeçari nuk ka mundur të bëjë rezistencë pasi është këputur me një goditje dhe dy të tjerat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Më pas për të fshehur gjurmët, dyshohet se Fisniku e ka futur trupin e djalit të tij në një thes dhe e ka hedhur në lumin e Tiranës, ku dhe u gjet pak ditë më pas nga kalimtarët e rastit. ndërkohë që banorët e zonës i thanë policisë se një mëngjes disa ditë para se të gjendje trupi i Agronit, konstatuan një dyshek të familjes Fisniku në anë të rrugës dhe disa minuta më pas nuk ndodhej më.
Policia duke folur mbi hetimet tha se babai ka hedhur edhe dyshekun e gjakosur për të humbur gjurmët. Megjithëse 75-vjeçari ka dëshmuar se krimin e kreu në gjaknxehtësi e sipër pas debatit të ashpër me djalin e tij, policia u shpreh se ai e kishte menduar gjatë natës krimin dhe fshehjen e kufomës duke e vrarë djalin në gjumë me qëllim që ai të mos mbrohej.
Ndaj të moshuarit u mor masa e arrestit ndërsa bashkëshortja e tij, N. Fisniku u la e lirë. Kjo e fundit ka tërhequr ditën e sotme nga morgu kufomën e djalit për ta varrosur. Ndërkohë banorë të zonës shprehen se familja Fisniku ishte shumë e varfër. Ata shpeshherë kërkonin nëpër lagje para të vogla për të blerë bukë.